Fëmijët duhet të ndjekin klasat e çdo lënde. Fëmijët mund të përjashtohen për pjesë të programit të Njohurive Kristiane dhe tw Arsimit Fetare dhe Etik (CKREE), nëse prindërit e kërkojnë këtë. Fëmijët në vitin e parë dhe të dytë zakonisht shkojnë në shkollë për 4-5 orë në ditë. Dita e shkollës është më e gjatë për fëmijët më të mëdhenj. Fëmijët në Norvegji duhet të marrin me vete ushqimin e drekës për ta ngrënë në shkollë. Shkolla nuk ofron ushqim.
Fëmijëve u jepen detyra shtëpie që prej vitit të parë të tyre në shkollë. Prindërit janë përgjegjës për t'u siguruar se fëmijët e tyre i bëjnë detyrat e shtëpisë dhe për t'i ndihmuar ata me to. Fëmijët e shkollës elementare dhe të ulët nuk u jepen nota për punën e tyre, por mësuesit e tyre u japin prindërve komente me shkrim sesi fëmijët e tyre po ia kalojnë në shkollë.
Djemtë dhe vajzat shkojnë në të njëjtat klasa dhe i studiojnë të gjitha lëndët së bashku, gjithashtu edhe edukatën fizike. Kjo është vendosur me ligjin për arsim. Gjatë viteve të para në shkollë shumë fëmijë kalojnë një ditë në javë mësim jashtë klase. Kjo quhet shkolla në ajër të pastër. Për pjesën më të madhe të vitit në Norvegji është shumë ftohtë, me shi, akull dhe dëborë. Kështu që është e rëndësishme që fëmijët të kenë rroba të ngrohta, çizme dhe veshje të përshtatshme për shi. Ata gjithashtu duhet të kenë një palë ndërresa në shkollë në rast se qullen.
Çdo fëmijë duhet të rregjistrohet në shkollën e tyre lokale përpara se të fillojnë. Shumica e njerëzve marrin një letër që i njofton se ku do të kryhet rregjistrimi, por njoftimi gjithashtu botohet në gazetën lokale. Në vitin në të cilin fëmija mbush pesë vjeç -- shpesh në shtator -- prindërit duhet të shkojnë në shkollë dhe të mbushin një formular rregjistrimi. Fëmijët që do të qëndrojnë në Norvegji për më shumë se tre muaj duhet të fillojnë shkollën menjëherë pas mbërritjes së tyre në vend.
Kujdesi pas shkollës (SFO)
Të gjitha shkollat ofrojnë një skemë të kujdesit pas shkollës (SFO) për fëmijët më të vegjël, ku ata mund të luajnë nën mbikqyrjen e të rriturve. Prindërit që dëshirojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në SFO duhet të paguajnë një tarifë mujore. Ushqim i lehtë do t'u jepet fëmijëve që marrin pjesë në SFO.
Një herë në vit mësuesi i fton prindërit e çdo fëmije në një takim në të cilin mësuesi u thotë sesi po ia kalon fëmija në shkollë dhe prindërve u kërkohen mendimet e tyre. Përpara këtyre takimeve fëmijët më të rritur shkruajnë se çfarë u pëlqën dhe çfarë nuk u pëlqen në shkollë.
Prindërit në çdo kohë mund të kërkojnë një takim me mësuesit e fëmijës nëse kanë nevojë për këshilla ose do të dëshirojnë të diskutojnë çështje të tjera me ta.
Disa shkolla kanë klasa të veçanta për nxënësit që nuk flasin gjuhën norvegjeze. Nxënësit shkojnë në klasa të tilla për një periudhë prej gjashtë muajsh deri në dy vjet. Këtu fokusi është mësimi i bazave të gjuhës norvegjeze. Shkolla të tjera i vendosin nxënësit menjëherë në lëndët kryesore. Në këtë rast, atyre u jepet mjaft ndihmë ekstra me gjuhën.
Nxënësit kalojnë në një klasë që i korrespondon moshës së tyre aktuale kur mësuesi beson se gjuha e tyre norvegjeze u lejon atyre të ndjekin lëndët kryesore.
Në këshillim me mësuesin e fëmijës, prindërit vendosin nëse fëmija do t'a ketë gjuhën norvegjeze si gjuhën e tij/e saj të parë ose të dytë. Nxënësi mund të kalojë nga të paturit e gjuhës norvegjeze si gjuhë të dytë në klasa normale në gjuhën norvegjeze gjatë kalimit nga një klasë në tjetrën.
Nevoja për mësime në gjuhën amëtare është më e madhe kur fëmija është duke mësuar të lexojë dhe të shkruajë në shkollën elementare. Megjithatë, të mësuarit e gjuhës amëtare mund të zgjatet nëse ekziston një nevojë për të. Nxënësve disa herë mund t'u mësohen lëndë të tjera në gjuhën e tyre amëtare. Në këtë rast, nxënësi merr pjesë në një klasë me mësuesin e lëndës dhe mësuesin e gjuhës amëtare, dhe lënda i përkthehet në gjuhën e tij/e saj.
Nxënësit që kanë vështirësi në të folurin, të lexuarin dhe të shkruarin e gjuhës norvegjeze mund të marrin arsim në gjuhën amëtare edhe në shkollat dytësore të ulta. Mësimet në gjuhën amëtare mund të jenë si shtesë ndaj ditës normale të shkollës dhe mund të zhvillohen në një shkollë tjetër përveç shkollës ku nxënësi shkon zakonisht.
Prindërit zakonisht paguajnë për librat e fëmijëve ndërsa ata janë në shkollën dytësore të lartë. Banorët në qendrat e pritjes të azilit mund t'i kërkojnë UDI, përmes qendrës së pritjes, për ndihmë financiare për të paguar për këto libra.
Disa studentë mund të kenë nevojë për mësime shtesë të gjuhës në shkollat dytësore të larta. Disa shkolla për këtë arsye kanë një kurs bazë dy-vjeçar gjatë të cilit studentët marrin mësime shtesë në gjuhën norvegjeze dhe angleze. Kjo u lejon atyre më shumë kohë për të studiuar lëndët e tjera. Flisni me këshilltarin e shkollës për më shumë informacion.