Parlamenti norvegjez quhet Storting. Anëtarët e Storting përfaqësojnë parti politike të ndryshme. Zgjedhjet e përgjithshme zhvillohen çdo katër vjet.
Qeveria duhet të miratohet nga Storting. Norvegjia është një monarki kushtetuese. Mbreti është kreu i shtetit, por nuk ka fuqi politike.
Norvegjia ka një sistem me dy nivelë të qeverisjes lokale. Zgjedhjet zhvillohen për të zgjedhur përfaqësues për në Këshillat e Qarqeve rajonalë dhe Këshillat e Distrikteve lokale. Të gjithë shtetasit norvegjezë mbi moshën 18 vjeç kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme (për në Storting), por votimi nuk është i detyrueshëm.
Edhe pse nuk jeni shtetas norvegjezë, ju keni të drejtë të votoni në zgjedhjet për Këshillin e Qarkut dhe Këshillin e Distriktit, me kusht që të keni banuar në Norvegji për tre vjet përpara ditës së zgjedhjeve.
Kushtetuta është ligji më i rëndësishëm në Norvegji. Ajo përcakton se kush do ta qeverisë vendin dhe si do të qeveriset ai. Kushtetuta gjithashtu përcakton të drejtat thelbësore të atyre që jetojnë në Norvegji.
Askush nuk mund të burgoset pa gjyq. Ligjet dhe rregulloret sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të banorëve të Norvegjisë. Ligjet përcaktojnë detyrat e çdo personi që banon në Norvegji. Vetëm gjykatat kanë pushtet të ndëshkojnë njerëzit. Ky quhet sundimi I ligjit.
Në Norvegji ka më shumë se njëqind gazeta, si dhe disa kanale televizive dhe të radios. Gazetarët shpesh e kritikojnë qeverinë, organet e tjera publike dhe njerëzit me pushtet në Norvegji. Një media e pavarur është e rëndësishme në një demokraci.
Ndërsa Kisha e Norvegjisë është kisha e themeluar në Norvegji, çdokush ka të drejtë të praktikojë fenë e tij. Liria fetare gjithashtu nënkupton të drejtën për të mos qënë fetar. Feja ka pak ndikim në jetën politike dhe sociale në Norvegji. Shumica e njerëzve e konsiderojnë fenë dhe besimin si një çështje private.
Barazia dhe të drejta të barabarta
Barazia gjinore nënkupton se gratë dhe burrat kanë të njëjtat mundësi, të drejta dhe detyrime, në shtëpi, në vendin e punës, në politikë dhe diku tjetër në shoqëri.
Autoritetet e qeverisjes lokale dhe qëndrore ndajnë paratë për shkollat, spitalet, ndërtimin e rrugëve, pensionet, shërbimet sociale dhe qëllime të tjera. Paratë vijnë direkt dhe indirekt prej taksave që paguhen nga banorët e vendit. Sa herë që blini diçka, një pjesë e asaj që keni paguar shkon tek qeveria. Qeveria gjithashtu siguron para përmes prodhimit të naftës dhe veprimtarive të tjera të biznesit. Shumë ndërmarrje të rëndësishme janë pronësi e shtetit norvegjez.
Meqënëse taksat paguajnë për shërbime publike prej të cilave përfitojnë të gjithë, është e rëndësishme që të gjithë ata që fitojnë para të japin pjesën e tyre duke paguar taksat. Nëse nuk paguani taksat që keni borxh, ju mund të gjobiteni, të burgoseni ose do t'ju duhet të paguani një vlerësim ndëshkimor të taksave.
Në mënyrë që të gjeni një punë në Norvegji, ju duhet të keni ose një numër të identifikimit personal norvegjez ose një lejë pune norvegjeze. Juve do t'ju jepet një numër i identifikimit personal nëse ju jepet një leje qëndrimi. Ju gjithashtu duhet të siguroni një kartë të taksave nëse kryeni punë me pagesë në Norvegji. Karta tregon sesa taksa duhet të zbriten nga rroga juaj. Ju mund të merrni një kartë të taksave nga zyra juaj lokale e taksave
Nëse fitoni më pak se NOK 1,000 nga çdo punëdhënës, ju nuk paguani taksa nga rroga juaj. Ju gjithashtu duhet të paguani taksa prej atyre që fitoni ndërsa merrni pjesë në Skemën e Prezantimit (shihni Kapitullin 7). Ju duhet të njoftoni qendrën tuaj të pritjes nëse gjeni punë dhe fitoni para. Zyra juaj lokale e taksave do të jetë në gjendje t'ju thotë më shumë në lidhje me punësimin dhe taksat në Norvegji.
Fëmijët kanë të drejta të qarta dhe të rëndësishme. Ata kanë të drejtën për ushqim, strehim, kujdes mjekësor, veshje dhe arsim. Ata kanë të drejtë të mendojnë dhe të besojnë atë që dëshirojnë dhe të marrin ndihmën më të mirë që shoqëria mund t'ju japë. Fëmijët kanë të drejtë të dëgjohen në të gjithë çështjet që ndikojnë tek ata. Pesha që i jepet mendimit të fëmijës do të jetë në proporcion me moshën e tij/e saj dhe nivelin e pjekurisë. Autoritetet norvegjeze kanë përgjegjësi për të siguruar se të drejtat e të gjithë fëmijëve në Norvegji respektohen. Shteti do të mbrojë të gjithë fëmijët ndaj çdo lloj abuzimi.
Rritja
Prindërit duhet t'i rrisin fëmijët e tyre në një mënyrë që plotëson interesat dhe nevojat e fëmijëve. Fëmijëve duhet t'ju mësohet sesi funksionon shoqëria norvegjeze. Fëmijëve gjithashtu duhet t'ju mësohet të kuptojnë rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe barazisë. Është e paligjshme që fëmijët të goditen ose të ndëshkohen fizikisht në ndonjë mënyrë tjetër, pavarësisht prej arsyes. Gjithashtu është e paligjshme që të abuzosh mendërisht një fëmijë.
Fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk lejohen të bëjnë punë me pagesë. Pas ditëlindjes së tyre të trembëdhjetë, fëmijët mund të kryejnë punë të lehta, p.sh. dorëzimi i gazetave. Puna nuk duhet të ndikojë në sigurinë, shëndetin ose zhvillimin e fëmijëve dhe asnjë punë nuk duhet të ndikojë negativisht në detyrat e tij/e saj të shkollës.
Shërbimi i Mirëqënies së Fëmijës
Në rastet më të rënda, kur shëndeti ose siguria e fëmijës është në rrezik, Shërbimi i Mirëqënies së Fëmijës mund ta vendosë fëmijën pranë një familje tjetër ose në shtëpinë e fëmijës. Qëllimi është për t'u siguruar se dikush është duke u kujdesur për fëmijën nëse banon me prindërit e tij/e saj ose është në kujdesin e Shërbimit të Mirëqënies së Fëmijës. Pyesni personelin në qendrën tuaj të pritjes nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me Shërbimin e Mirëqënies së Fëmijës.
Jeta në familje
Njerëzit në Norvegji mund të jetojnë me këdo që dëshirojnë pasi kanë mbushur 18 vjeç. Shumë njerëz jetojnë vetëm. Disa njerëz janë prindër të vetëm, disa jetojnë me një partner të të njëjtit seks, ndërsa të tjerë jetojnë me miq. Ju mund të martoheni ose të rregjistroheni si partnerë me autoritetet -- ose ju thjesht mund të jetoni së bashku. Çiftet homoseksualë në Norvegji mund të jetojnë së bashku si partnerë të parregjistruar ose të rregjistruar.
Martesa
Burrat dhe gratë duhet të jenë 18 vjeç në mënyrë që të martohen. Çdokush ka të drejtë që të zgjedhë se me kë do të martohet. Askush në Norvegji nuk mund të detyrohet që të martohet dhe as fëmijët ose adoleshentët nuk mund të dërgohen jashtë vendit për t'u martuar me forcë. Nëse një martesë ka ndodhur nën presion, atëherë ribashkimi familjar nuk do të lejohet. Një martesë me detyrim gjithashtu mund të shpallet e pavlefshme në Norvegji. Ndjekja ligjore për anullim duhet të fillojnë jo më vonë se gjashtë muaj pas kryerjes së martesës me detyrim.
Si burrat, ashtu edhe gratë kanë të drejtën e divorcit. Nëse një nga bashkëshortët nuk dëshiron më të jetë i martuar me tjetrin, ai/ajo më parë duhet të kërkojë një ndarje zyrtare (periudha e pritjes përpara përfundimit të divorcit). Kur çifti të jetë ndarë për të paktën një vit, çdo palë mund të kërkojë një divorc. Çifti nuk duhet të jetojë së bashku gjatë periudhës së ndarjes. Nëse çifti ka jetuar së bashku për më pak se dy vjet, palët mund të kërkojnë një divorc pa patur një periudhë ndarje. Nëse çifti që kërkon divorcin ka fëmijë, ata duhet të marrin pjesë në seanca të këshillimit familjar përpara sesa të mund të kërkojnë divorcin.
Dhuna dhe kërcënimet kundër anëtarëve të familjes nuk lejohen në Norvegji. Lexoni më shumë për këtë në Kapitullin 5. Në të gjithë vendin ekzistojnë 50 streha të dhunës shtëpiake. Këto streha pranojnë gratë dhe fëmijët që janë abuzuar në mënyrë fizike dhe që ndihen të kërcënuar. Ju nuk keni nevojë për një referim për të kërkuar strehim ose për të kontaktuar një prej këtyre strehave.